Volodymyr Zelenskyy ka falënderuar udhëheqësit e BE-së për kredinë për Ukrainën, e cila u ra dakord brenda natës në Bruksel. Presidenti ukrainas tha se marrëveshja siguroi siguri financiare për vendin e tij dhe tha se asetet e Rusisë në një shtëpi kleringu belge duhet të mbahen të ngrira.
“Është e rëndësishme që asetet ruse të mbeten të palëvizshme dhe që Ukraina të ketë marrë një garanci sigurie financiare për vitet e ardhshme. Faleminderit për rezultatin dhe për unitetin. Së bashku, ne po mbrojmë të ardhmen e kontinentit tonë”, tha ai.
Bashkimi Evropian vendosi t’i japë Ukrainës një kredi pa interes në vlerë prej 90 miliardë eurosh për ta ndihmuar financimin e vendit të shkatërruar nga lufta, pasi dështoi të arrijë një marrëveshje për një propozim që synonte përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit në vitet në vijim. Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, shkroi në X më 19 dhjetor se fondet do të jenë për vitin 2026 dhe 2027.
“Ne premtuam dhe e realizuam”, tha ai.
Zyrtarët e BE-së nisën takimin më 18 dhjetor lidhur me arritjen e një pajtimi për çështjen e financimit. Bisedimet u përqendruan në një propozim që parashihte përdorimin e dhjetëra miliarda eurove nga asetet të ngrira ruse për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës.
Megjithatë, shqetësimet ligjore bënë që disa vende anëtare të bllokut të mos e pranonin këtë propozim. Në vend të saj, u arrit marrëveshja për kredinë, e cila bazohet në huamarrje në tregjet e kapitalit dhe mbështetet nga “rezerva buxhetore e BE-së”, term që rëndom përdoret për të përshkruar kapacitetin shtesë të huamarrjes.
Financimi për Ukrainën është shndërruar në një çështje madhore për bllokun prej 27 anëtarësh, teksa Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar mbështetjen e tyre financiare dhe shtete si Hungaria po shtyjnë përpara idenë e reduktimit të financimit.
Samiti i BE-së u mbajt pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi ashpër udhëheqësit e bllokut, duke përdorur një term që mund të përkthehet si “derrkuc”. Ai përsëriti pretendimet se Moska përmes forcës do të arrijë qëllimet e saj në luftën në Ukrainë nëse një nismë amerikane për paqe nuk prodhon një marrëveshje që i plotëson kërkesat e Rusisë.
Putin pritet të mbajë konferencën e tij vjetore për shtyp më vonë, më 19 dhjetor, ku ka gjasa të flasë edhe për propozimin lidhur me asetet. Rusia ka kërcënuar me veprime të gjera ligjore për çdo përdorim të aseteve të saj të ngrira.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mori pjesë në samit, duke u thënë udhëheqësve se propozimi për një kredi të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, që aktualisht mbahen në BE, është i preferueshëm, por që në fund nuk ka rëndësi mënyra se si shfrytëzohen fondet, përderisa gjendet një zgjidhje.
