Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, laureatja e Çmimit Nobel për Paqen e këtij viti, tha se mbështet presionin në rritje mbi Nicolas Maduron për ta detyruar atë të largohet nga pushteti, duke premtuar të kthehet në atdheun e saj “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas fragmenteve të një interviste që ajo dha për rrjetin amerikan CBS që u publikuan të premten.

Machado përshëndeti presionin në rritje mbi presidentin venezuelian “në mënyrë që Maduro të kuptojë se duhet të largohet, se koha e tij ka ardhur”, në intervistën që dha nga Oslo, Norvegji, dhe që është planifikuar të transmetohet të dielën.

Ndër të tjera, ajo u pyet nëse do të mbështeste një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane për të përmbysur regjimin, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënon Venezuelën me operacione tokësore. Duke pretenduar se nuk është në dijeni të planeve të Uashingtonit, udhëheqësja e opozitës theksoi se ky nuk është një “ndryshim konvencional i regjimit” duke pasur parasysh se në Venezuelë ishin mbajtur zgjedhje.

Udhëheqësi socialist Nicolas Maduro ka filluar një mandat të tretë gjashtëvjeçar si president i Venezuelës pas zgjedhjeve të vitit të kaluar që opozita pretendon se i fitoi.

Machado, 58 vjeç, e cila jetonte e fshehur në Venezuelë  nga gushti i vitit 2024, u largua nga atdheu i saj në fshehtësi të plotë dhe udhëtoi për në Norvegji, ku mbërriti vonë dhe nuk mundi të merrte pjesë në ceremoninë e Çmimit Nobel për Paqen.

“Nuk do të jap më shumë informacion në lidhje me udhëtimin tim në Norvegji”, i tha ajo CBS, duke vënë në dukje se sa i rëndësishëm është Çmimi Nobel për Paqen “për popullin e Venezuelës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds