Tre persona janë arrestuar dhe mbi 5 milionë euro janë konfiskuar në kuadër të një operacioni policor kundër një qelize të grupit të ashtuquajtur “Karteli Ballkanik”. Agjencia Evropiane e Policisë bën me dije se shuma e parave është përfituar në kuadër të trafikimit të drogës nga Kolumbia.
Në operacion janë përfshirë zyrtarë policorë nga Austria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia, bashkë me rreth 500 zyrtarë policorë gjermanë, të cilët kanë kryer bastisje kundër individëve të dyshuar për trafikim transnacional të drogës dhe krim të organizuar. Sipas Europolit, autoritetet e vendeve që janë përfshirë në operacion kanë kryer hetime dhe i kanë bllokuar llogaritë bankare dhe astetet tjera në shtetet e lidhura me të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.
Ministria e Brendshme e Serbisë bën me dije se:
“Shtetasit serbë B.B (1963), B.I (1976), M.B (1999), M.N (1997), S.S (1987), R.M (2004), D.P (1993) dhe N.T (1992) janë arrestuar në territorin e Spanjës. Ata dyshohet se janë anëtarë të grupit kriminal, përmes ofrimit të logjistikës dhe pajisjeve për pranimin e drogës së transportuar nga Kolumbia, e cila ka arritur me anije në Spanjë, dhe më pas është ruajtur dhe shpërndarë në koordinim me shumë grupe tjera kriminale spanjolle”
