Në Shqipëri sot festohet Dita Kombëtare e Rinisë, e shpallur festë zyrtare që prej vitit 2009. Kjo datë përkujtohet çdo vit në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
35 vite më parë një grup studentësh dhe pedagogë i dhanë “grushtin” e parë diktaturës, duke përmbysur regjimin 50-vjeçar komunist, përmes disa protestave që organizuan nga zona e Qytet Studentit, në drejtim të sheshit të kryeqytetit.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 cilësohet si e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Në Natën e 8 dhjetorit, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Shkak u bë fillimisht fikja e dritave në Qytetin Studenti. Të rinjtë marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte slogani me të cilin kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Përpjekjet e shumta të forcave speciale dhe agjentë të Sigurimit të Shtetit u shfaqën nga të gjithë anët por nuk arritën të ndalonin frymën studentore e cila vazhdoi edhe në dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua dhe pluralizmi politik
8 dhjetori nuk është thjesht një ditë e shënuar, por mbi të gjitha një simbol i lëvizjes studentore, që shënoi fillimin e ndryshimeve të sistemit politik në vend, duke sjellë zhvillime që çuan në rënien e komunizmit dhe hapat e parë të demokracisë.
