Seanca gjyqësore për çështjen ‘Partizani’ është shtyrë sërish ditën e sotme. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës. Në një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme, Jamarbër Malltezi lëshoi akuza të forta, duke e cilësuar procesin ndaj tij si politik dhe të stisur.

Malltezi drejtoi akuza direkte ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ish-ambasadores amerikane, Yuri Kim, duke i quajtur ata si organizatorët e këtij procesi. Malltezi denoncoi edhe prokuroin e çështjes, Besmir Karaxha, për të cilin tha se ka lidhje politike me Partinë Socialiste.

Çfarë ndodhi? Atëherë, një nga avokatët ishte në çështje tjetër, kështu që nuk kishte mundësi të ishte. Kështu që u shty seanca për herën tjetër. Duam të rikonfirmojmë që jam këtu bashkë me kushuririn tim Xhimi Begeja. Xhim Begeja në mënyrë të ngjashme, po nga disa gjyqtarë dhe prokurorë të nënshtruar ndaj ambasadorit jugosllav asaj kohe, vendosën që ta pushkatonin xhaxhain e Xhimit dhe të burgosnin xhaxhain tjetër të Xhimit. Pse? Sepse ishin të pasur. S’kishin marrë asnjë lekë nga shteti, thjesht ishin të pasur dhe ishin armiq të Partisë Komuniste. Kemi Xhimin këtu që do flasë. Nga ana tjetër, në mënyrë të ngjashme ne jemi të njëjtët pronarë. Të njëjtët pronarë që ballafaqohemi me procese politike të stisura nga Edi Rama dhe nga ambasadorja Yuri Kim, që siç e patë juve, vodhi 100 milionë euro me dy gjeneratorë. Duhet të fillonim seancën dhe kemi përgatitur 31 fakte për t’i ballafaquar me sjelljet e pretenduara dhe të pamatshme që don të thotë tani prokurorët e promovuar në SPAK nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Në mënyrë të veçantë, gjithashtu kemi një pyetje tjetër. Për ç’arsye kemi situatën e hetuesit Besmir Karaxha me bluza të PS-së, i cili gjithashtu është me ministrin Ulsi Manja, në aktivitete politike. Ky është hetuesi që kanë angazhuar prokurorët. Pra jemi njëlloj në situatën e 45-46-ës, ku gjyqet politike bëhen,” tha Malltezi.

Çfarë është çështja “Partizani”?

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohet për “Pastrim Parash”. 

Më 7 korrik 2025 Jamarbër Malltezi është liruar nga arresti shtëpiak. Në seancë, Gjykata e Posaçme vendosi që Malltezi të lirohej nga arresti shtëpiak, në kërkim të garancisë pasurore, pas 20 muajsh që mbahej në këtë masë. Garancia pasurore që GJKKO ka kërkuar është 3 milion lekë. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *