Shqipëria shënoi dje një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi u mbyllën negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga zhvillimet e djeshme teksa e cilësoi “një tjetër ditë Shqipërie në BE”.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se Shqipëria është një nga kryesuesit e progresit në procesin e integrimit.

“Falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare po mbyllim një tjetër kapitull negociues, kapitullin e 20 për sipërmarrjen dhe politikave industriale që ka të bëjë me ndihmën për bizneset shqiptare që të rriten, zhvillohen, konkurrojnë e të krijojnë më shumë vende pune”, tha Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Nga ana tjetër ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, theksoi në fjalën e tij se Shqipëria “vazhdon të bëjë progres”.

 “Kjo vazhdimësi, ky progres i qëndrueshëm, është dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin tonë Evropian dhe vetëm mund ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë kështu në këtë drejtim, dhe ndërkohë do të publikohet edhe raporti i vitit 2026, dhe kjo do të jetë një mundësi për të bërë një inventar të arritjeve që janë bërë vitin e kaluar dhe do të identifikojmë ato fusha ku duhet punuar më tej për ta çuar Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se “jemi të vetëdijshëm që progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur; këta janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, s’ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet e prekshme që janë arritur”.

Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds