Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij hapës në samitin “Growth Plan, Our Pathway to EU”, ku theksoi se plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht një itinerar drejt Brukselit, por një udhërrëfyes drejt lirive dhe mundësive të tregut evropian, të cilit, siç tha ai, qytetarët e rajonit i përkasin historikisht.

Rama u ndal te dështimet e së kaluarës për bashkëpunim rajonal, duke theksuar se rajoni ka humbur shumë mundësi teksa ka mbetur peng i konflikteve të vjetra:
“Më mirë vonë se kurrë, mund të thotë dikush, pas gjithë atyre shanseve të humbura kur trenat e bashkëpunimit u nisën dhe ne mbetëm në platformë. Duhet të shkojmë drejt të ardhmes, jo të mbetemi te mosmarrëveshjet e së kaluarës.”

Ai theksoi se Evropa është ndërtuar përmes veprimit dhe jo pritjes, dhe se ky samit shënon pikërisht momentin për të ecur përpara:
“Nuk jemi këtu për të shtyrë punët, por për të ndërtuar së bashku atë që kërkohet të bëjmë sot.”

Rama theksoi gjithashtu se qytetarët shpesh nuk e ndiejnë drejtpërdrejt procesin e integrimit, por përfitojnë përmes uljes së kostove, lirisë së lëvizjes dhe shërbimeve më të shpejta. Një shembull konkret, sipas tij, është heqja e tarifave të roaming-ut me Bashkimin Evropian:

“Vitin e ardhshëm tarifat e roaming-ut me BE do të hiqen. Ky është një tjetër kufi artificial që bie mes nesh dhe Evropës.”

Në fokus ishte edhe transformimi digjital i rajonit. Kryeministri njoftoi se Ballkani është në prag të një epoke të re me identitetin digjital të unifikuar, ndërsa për Shqipërinë ky hap do të bëhet realitet shumë shpejt: “Revolucioni digjital dhe identiteti digjital në Ballkan do të pasqyrojnë standardet evropiane. Jam krenar t’ju them se nga viti i ri identiteti digjital në Shqipëri bëhet realitet.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *