C.Ronaldo vërtetoi edhe një herë se është një tjetër nivel, një personazh që shkon përtej botës së futbollit, është më shumë se kaq, është një ikonë, një nga njerëzit me më shumë influencë në botë. Si rrallë herë, si asnjë futbollist tjetër më parë, C.Ronaldo ishte pjesë e një delegacioni zyrtar të Arabisë Saudite, i ftuar special i princit Mohammed bin Salaman që u prit nga presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij bukuroshe, Georgina Rodriguez, Ronaldo kishte luksin të ulej në tavolinë. Më shumë se sa Ronaldo, i emocionuar për prezencën e tij u shfaq presidenti Donald Trump, i cili në fjalën e tij nuk nguroi t’i thurte elozhe legjendës portugeze: “Djali im është një fans i madh yti. Barron pati mundësinë të takohej me ty, ndaj mendoj se tani e respekton pak më shumë babin e tij, vetëm nga fakti që e prezantova me ty. Faleminderit shumë që je këtu (Ronaldo), vërtet është një nder”, u shpreh Trump.
Të pranishëm në këtë mbrëmje, ishin edhe personazhe të tjerë ikonë si Elon Musk, Tim Cook, administratori i deleguar i Apple, apo presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
