Moti i keq ka përfshirë vendin, ku si pasojë janë shkaktuar probleme në disa qarqe. Në Lezhë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në lagjen “Besëlidhja”. Sistemi i kanalizimeve në qytet nuk ka arritur që të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë vërshim të ujërave në bllokun e banimit. Niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Prezencë uji pati edhe në disa pika të rrugës Lezhë-Shëngjin. Gjithashtu kanali i ujërave të larta në Zadrimë doli nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe përmbyti disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Kallmetit. Ndërkohë, probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit. Në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në fshatra. Problematike situata paraqitet edhe në Fushë-Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Mallkuc. Në Murqinë uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha arash. Shumica e kanaleve janë të vjetra dhe pa pastruar dhe nëse reshjet vazhdojnë me intensitet, përveç sipërfaqeve të tokës, mund të rrezikohen edhe banesa. Në Vlorë, po ashtu era e fortë ka rrëzuar disa pemë në zonën e Skelës dhe Pyllin e Sodës. Probleme me energjinë elektrike raportohen edhe në Fier për shkak të erës së fortë. Zonat e prekura janë nënstacioni i Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë. Ndërkohë, grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.
