Kërkesa e paraqitur nga opozita për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, u rrëzua sot gjatë votimit. Rezultati i votimit tregoi 5 vota pro dhe 9 kundër, duke bërë që iniciativat për largimin e Presidentit të mos gjejnë mbështetje.

Demokrati Gjin Gjoni ka paraqitur në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike kërkesën për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar atë për “shkelje të vazhdueshme dhe të rënda të Kushtetutës”. Në dokumentin e paraqitur nga Gjoni, ndër shkeljet e pretenduara renditen dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës dhe ndërhyrja në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. 

Sipas tij, veprimet e Presidentit nuk kanë pasur qëllim legjitim, por janë ndërmarrë për të shërbyer interesave të qeverisë, duke ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe proceset demokratike. Gjoni ka ngritur gjithashtu pretendime se Presidenti Begaj është i punësuar në një spital privat, ndërsa djali i tij punon në një kompani sigurimesh private.

7 shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj:

-Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës;

-Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë;

-Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore;

-Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’;

-S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025;

-Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve;

-I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca/ Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *