Një aksion i gjerë po zhvillohet në Lagunat e Kune-Vainit në Lezhë, ku Inspektorati i Peshkimit, në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura dhe Policinë e Shtetit, po ndërhyjnë për të ndalur aktivitetet e paligjshme të peshkimit.
Prej mëngjesit të kësaj të mërkure, këto institucione kanë zbarkuar në terren, pasi kompanisë që kishte në shfrytëzim lagunën i ka përfunduar kontrata që në muajin maj dhe pavarësisht njoftimeve dhe paralajmërimeve zyrtare, peshkimi kishte vijuar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rrjeta dhe mjete peshkimi të përdorura pa leje, ndërsa behet me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet për të garantuar mbrojtjen e ekosistemit dhe ndalimin e çdo abuzimi në zonat e mbrojtura.
Sipas te dhënave nga grupi i inspektimit ne terren, këto kontrolle do të vijojnë dhe nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj veprimtarive të paligjshme dhe askush nuk ka të drejtë të shfrytëzojë zonat e mbrojtura pa leje përkatëse.
Aksioni konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit në njërën zonën e mbrojtur të lagunës së Kune-Vainit e cila konsiderohet si një vlerë e rëndësishme për biodiversitetin.