Kanë mbërritur sot në Gjykatën e Elbasanit 14 personat e arrestuar disa ditë më parë gjatë operacionit të policisë në bar-restorantin “Zykollari”, në afërsi të Bradasheshit. Të ndaluarit akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të rendit. Sipas policisë, gjithçka nisi pas një telefonate anonime, e cila informoi policinë se në ambientet e lokalit ndodheshin persona të armatosur.

Shërbimet e Policisë së Elbasanit ndërhynë menjëherë, duke kryer një kontroll të befasishëm, që përfundoi me shoqërimin dhe arrestimin e 14 shtetasve. Në mesin e të arrestuarve ndodhen pronari i lokalit ku u bë arrestimi, Taulant Zykollari, si dhe pronari i “Delta Group”, Bujar Muça. Të gjithë të ndaluarit do të përballen sot me seancën për caktimin e masës së sigurisë.

SI NDODHI NGJARJA?

Një operacion policor i befasishëm u zhvillua mesditën e datës 14 tetor në Elbasan, e si rezultat ka çuar në arrestimin e 14 personave, pas një hetimi disa mujor të përqendruar mbi aktivitetin kriminal dhe posedimin e armëve pa leje. Sipas uniformave blu, ndërhyrja është kryer në një nga lokalet e njohura të qytetit, në segmentin rrugor Elbasan–Ish-Metalurgji, ku dyshohej se frekuentohej nga persona me precedentë penalë.

Gjatë operacionit, disa nga të ndaluarit kundërshtuan me forcë arrestimin, duke shkaktuar një përshkallëzim të situatës dhe detyruar ndërhyrjen e forcave të shumta policore për neutralizimin e tyre. Policia e Elbasanit bëri të ditur se hetimet vijojnë, për të përcaktuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me ngjarje të tjera kriminale në këtë zonë apo në qytete të tjera të vendit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet përreth lokalit, forcat e policisë sekuestruan një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh të ndaluara, përfshirë: 3 armë zjarri (pistoleta), municion luftarak, një elektroshot (dorezë neuroparalizuese), 4 radio policie, një jelek me mbishkrimin “Policia”, sende në formë pistolete dhe sinjalizues metalik, një thikë, një shkop metalik, një shumë parash, 4 automjete, 13 celularë dhe një pajisje DVR.

Sipas burimeve zyrtare, personat e arrestuar janë me precedentë penalë të theksuar në fushën e krimeve kundër personit dhe narkotikëve, ndërsa konsiderohen me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni është zhvilluar në kuadër të goditjes së grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Elbasanit, dhe po vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit për identifikimin e lidhjeve të mundshme të të arrestuarve me ngjarje të tjera kriminale në qytet. Të arrestuar kanë ngelur 14 persona, disa prej të cilëve janë; Endri Doda, Ervin Cani, Akil Kertusha, Blerim Heta, Egi Çaushi, Maksim Suçi, Bujar Muça, Hanson Mullahi, Stefan Mehmeti, Ergys Tusha, Jurgers Mullahi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds