Kuvendi nisi sot në orën 10:00 mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.

Në seancën e parë pritet të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve. 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse.

Sipas ligjit, seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër, gjë e cila i takonte liderit demokrat Sali Berisha, por ai së bashku me deputetin Tritan Shehu kanë refutzuar dhe për këtë shkak seanca do të drejtohet nga deputetit socialist i Vlorës Vasil Llajo.

Deputeti Llajo çeli seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve. Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite.

Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar. Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili u mësua një ditë më parë (11 Shtator) dhe është Niko Peleshi, pasi kryesocialisti Edi Rama e shpalli në mbledhjen e partisë.

Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një.

Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama do t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e qeverisë së re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti i “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.

NDARJA E MANDATEVE

Rezultatet e 11 majit prodhuan 83 mandate për Partinë Socialiste, 50 mandate për Partinë Demokratike, 3 mandate Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia, 1 mandat Shqipëria Bëhet dhe 1 mandat Lëvizja Bashkë.

Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 72 ulen për herë të parë në karrigen e parlamentit.

Përfaqësimi në Kuvend gjatë kësaj legjislature pasqyron diversitetin e shoqërisë shqiptare.

Mosha mesatare e deputetëve është 47,5 vjeç, duke kombinuar përvojën me energjinë e re. 35% e deputetëve janë gra.

Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë u përkasin fushave si mjekësia, shkencat natyrore, sociale, politike, po ashtu edhe nga inxhinieria, arti e sipërmarrja. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.

Për një fillim sa më efikas të sesionit të ri, administrata e Kuvendit ka përgatitur materiale orientuese dhe sesione informuese. Zyra pritëse e deputetëve ofron asistencë për njohjen e institucionit dhe detyrave të parlamentarit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *