Kryeministri Edi Rama ka njoftuar dje se është hedhur një tjetër hap drejt modernizimit e thjeshtimit të shërbimeve. Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) do të integrohet automatikisht në lejen e drejtimit si Kodi 95, duke shmangur kartonin e veçantë e ulur shpenzimet për qytetarët, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) gjithashtu informoi qytetarët se nga data 19 gusht 2025 ka hyrë në fuqi aplikimi i kësaj risie të rëndësishme për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zotërojnë CAP.
“Në zbatim të standardeve më të mira europiane, CAP nuk do të lëshohet më si një karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument”, – thuhet në njoftimin e DPSHTRR.
Qytetarët tashmë nuk do të pajisen me një karton të veçantë për CAP, pasi të gjitha të dhënat do të pasqyrohen në lejen e drejtimit. Aplikimi dhe rinovimi do të kryhen sipas procedurave ekzistuese, ndërsa shënimi i Kodit 95 do të pasqyrohet në dokumentin e vetëm të lejes së drejtimit.
Drejtuesit e mjeteve do të kenë vetëm një dokument të unifikuar, me një procedurë të thjeshtuar.
Gjithashtu, kjo risi përputhet me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95 pasqyrohet në lejen e drejtimit, siç aplikohet në disa vende të BE-së.
Aplikantët e rinj, nuk do të paguajnë më për kartonin CAP, as edhe drejtuesit që rinovojnë, sepse do të kenë gjithçka të përmbledhur në një dokument të vetëm. Institucionet po ashtu përfitojnë nga një administrim më i thjeshtë e i digjitalizuar.
