Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një vizitë private në Istog të Kosovës, ku ishte i ftuar në disa aktiviteteve të organizuara nga mikëpritësit. Por vizita e tij private është pasqyruar nga mediat në Kosovë, ku kryedemokrati Sali Berishaka dhënë dhe një intervistë për televizionin Kanali10. Në intervistën e tij, lideri i opozitës shqiptare ka treguar se ka vizituar varret e dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e Kosovës dhe i ka nderuar ata. I pyetur nga media, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se procesi në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet pa fakte.
“Gjerë sot nuk kam lexuar një fakt të vetëm përgjegjëse ata që udhëhoqën këtë luftë dhe që janë sot në bangën e akuzës. Uroj që ky proces të konfirmojë, të sanksionojë pafajësinë e tyre dhe rolin që ata luajtën. Ata udhëhoqën një luftë çlirimtare”, theksoi Berisha gjatë intervistës.
Berisha ka nderuar edhe Ibrahim Rugovën, duke qenë se ishte në vendlindjen e tij, në Istog.
“Është burri i madh i këtij kombi që çështjen e drejtë të popullit të Kosovës, çështjen e lirisë dhe pavarësisë së tij, e mori nga barakat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe e çoi deri në Dhomën Ovale, në zyrat më të larta të SHBA,” theksoi kryedemokrati Sali Berisha në intervistën e tij për mediat e Kosovës.
Intervista e Plotë e Sali Berishës:
Isha në një vizitë private tek miq të mi. Festuam ditëlindjen e Gani Dreshës dhe u ndjeva shumë i nderuar që isha mik i tyre. Vizitova bjeshkën e Istogut gjer në Çorovodë, në kufi dhe pata fatin të shijoj mahninë e kësaj bjeshke. Por natyrisht nga Istogu nuk mund të largohesha kurrë pa shprehur nderimin tim më të thellë, pa u përulur me mirënjohjen më të pakufishme, para dhjetëra e dhjetëra djemve e vajzave të Istogut që ranë me pushkë në dorë për lirinë dhe dinjitet kombëtar, për Kosovën e pavarur.
Betejat e luftëtarëve të Istogut dhe në tërësi të kësaj zone, kanë qenë betejat nga më të përgjakshmet, por dhe me një rol shumë të veçantë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe unë shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët me luftën e tyre, mbrojtën jo vetëm vlerat e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, por ajo ishte lufta e fundit çlirimtare në Europë dhe i dhanë fund një kolonie në zemër të Europës që përbënte një turp të madh dhe të patolerueshëm.
Unë thashë, e kalova ditën në bjeshkë, por edhe atje ishin gjurmë të barbarive serbe, të cilët kishin vërshuar nga Sanxhaku dhe mbledhë çfarë kanë gjetur, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar, kanë kaluar para breshërive të armëve të tyre 53 qytetarë të Istogut. Edhe për ata unë shpreh nderimin tim më të madh.
Pyetje: Ndërkohë kemi kaq vite pas luftës në Kosovë. Lufta Çlirimtare e Kosovës po gjykohet nëpërmjet procesit të Gjykatës Speciale. Si e shihni këtë proces, duke ditur se ka mbërritur nga fundi dhe duke qenë se jemi në Istogun e Ibrahim Rugovës, edhe një fjalë për Rugovën.
Sali Berisha: Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është faqja me e ndritur e historisë së kombit shqiptarë që nga luftërat e Skënderbeut gjerë më sot. Ajo luftë e bëri të lirë kombin shqiptarë por e bëri Ballkanin dhe Evropën me të drejtë dhe më të lirë. Në këtë kuadër asgjë nuk mund të errësojë kontributin historik të luftëtarëve të lirisë. Përsa i përket Gjykatës së Hagës, duhet të jemi realist se ajo është gjykatë e Kosovës. Ne duhet ti shohim gjithnjë me realizëm. E kam ndjekur absolutisht me vëmendjen më të madhe. Gjerë sot nuk kam lexuar një fakt të vetëm përgjegjëse ata që udhëhoqën këtë luftë dhe që janë sot në bangën e akuzës. Uroj që ky proces të konfirmojë, të sanksionojë pafajësinë e tyre dhe rolin që ata luajtën. Ata udhëhoqën një luftë çlirimtare. Njësitet e UÇK-së në mënyrën më të vërtetë, ishin aleatët e NATO-së në terren në territorin e Kosovës.
Pyetje: Edhe për Rugovën, meqë jemi në Istogun e Rugovës.
Sali Berisha: Jam këtu në Istog, vendlindjen e gjeniut politik të kombit shqiptar. Unë e kam theksuar dhe e theksoi prap, gjenitë e këtij kombi ka qenë Skënderbeu, është Ismail Kadare, është Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza. Sepse këto personalitete, secili në fushën e tij, u bë simbol frymëzimi jo vetëm për shqiptarët por për njerëzit në mbarë botën. Ibrahim Rugova, është dhe do mbetet, arkitekti i Pavarësisë së Kosovës. Është burri i madh i këtij kombi që çështjen e drejtë të popullit të Kosovës, çështjen e lirisë dhe pavarësisë së tij, e mori nga barakat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe e çoi deri në Dhomën Ovale, në zyrat më të larta të SHBA. Ibrahim Rugova përfaqësoi me dinjitetin më të madh, me civilitetin më të madh, me vizionin dhe qartësinë më të madhe, kombin dhe interesat e tij.
