Bizneset që operojnë në qendrën e qytetit të Korçës dhe në zonën pedonale kanë nisur zbatimin e një urdhri të ri të Bashkisë, në kuadër të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike. Të gjitha subjektet që më parë kanë qenë të pajisura me leje të përkohshme për zënien e këtyre hapësirave janë njoftuar për pezullimin e lejeve dhe për detyrimin që, deri më 2 gusht, të lirojnë ambientet që zënë.
Sipas urdhrit të shpërndarë nga bashkia, duhet të hiqen strukturat e përkohshme si:
• Konstruksione metalike
• Tenda
• Çadra
• Pedana
• Vazo dhe elementë të tjerë të ngjashëm
Në njoftim theksohet se në rast mosrespektimi të afatit, pas datës 2 gusht do të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Që nga mëngjesi i sotëm, disa prej bizneseve kanë nisur vetë çmontimin e strukturave të tyre. Ndërkohë, një përfaqësi e bizneseve do të zhvillojë një takim me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ku do të kërkohet shtyrja e afatit deri më 15 shtator, për t’u përshtatur gradualisht me ndryshimet e kërkuara.