Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim pesë shtetas italianë, pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut në shëtitoren e qytetit. Ngjarja, e dokumentuar edhe me video në rrjetet sociale, ka ndodhur rreth orës 01:30 dhe ka përfshirë dy grupe turistësh italianë që janë përleshur me grushte dhe sende të forta.
Pas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Sarandë, u konstatua se konflikti kishte motive të dobëta. Si rezultat, janë shpallur në kërkim këta pesë shtetas italianë nga Napoli:
-G. T., 23 vjeç
-M. A., 20 vjeç
-S. D., 60 vjeç
-A. L., 19 vjeç
-S. B., 19 vjeç
Ata akuzohen se kanë sulmuar fizikisht tre bashkëkombas të tyre nga Avelino: G. M. (19 vjeç), F. D. (22 vjeç) dhe L. D. (20 vjeç).
Ndërkohë, gjatë verifikimeve është konstatuar edhe një rast tjetër shkeljeje. Shtetasi italian E. G. rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa leje dhe me punonjës të pasiguruar. Edhe për të janë referuar materialet në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Policia e Sarandës po vijon punën për lokalizimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
