Situata e zjarreve në vend mbetet alarmante, teksa gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë ende aktive, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe me bimësi.
Zjarret janë regjistruar në 16 bashki, përkatësisht në Dibër, Bulqizë, Mat, Vau i Dejës, Mallakastër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Finiq, Krujë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Berat. Deri tani, janë djegur mbi 381 hektarë dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.
4 vatra ende aktive:
Parku Kombëtar Lurë, Dibër – Në zonën “Liqeni i Luleve” po vazhdon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë rreth 200 hektarë me pyje pishe dhe ahu. Janë angazhuar 30 forca vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Mali i Peladhisë, Bulqizë – Në njësinë administrative Zerqan vijon përpjekja për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar, që ka përshkuar rreth 30 hektarë me shkurre dhe bimësi.
Qafa e Laçit, Vau i Dejës – Që prej datës 15 korrik, zjarri ka djegur rreth 25 hektarë me lisa, dushqe dhe barishte. Shuarja e vatrës mbetet sfidë për shkak të terrenit të thepisur.
Drenovë, Mallakastër – Në këtë vatër, në afërsi të një pusi gazi, janë djegur mbi 120 hektarë me shkurre, pisha dhe mbi 1000 rrënjë ullinj. Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë, situata konsiderohet kritike. Në terren janë 36 forca vendore, 40 ushtarë, si dhe helikopteri Cougar në mbështetje ajrore.
Në përballimin e situatës janë angazhuar 288 forca operacionale, 27 automjete zjarrfikëse, si dhe dy helikopterë të FA që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm.
Strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur emergjencave dhe për të ndihmuar komunitetet e prekura.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarre në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera rreziku konsiderohet i moderuar. Në Shkodër (jugperëndim) priten rreziqe të lokalizuara, pavarësisht reshjeve të dobëta të parashikuara.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë. Ndihma dhe vigjilenca qytetare janë kyçe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.