Një 44-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi u kap në flagrancë duke kanosur dy persona me një mjet prerës (sopatë), në një lokal në lagjen nr. 17.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit dhe parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Dh., 44 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas akuzohet se ka kanosur me sopatë dy persona, E. A. dhe E. S., banues në Durrës, për motive që dyshohen të jenë të natyrës personale.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi B. K., pasi kishte dijeni për konfliktin dhe nuk kishte njoftuar autoritetet.
Mjeti prerës (sopata) është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.