Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ka njoftuar sot masa që do të ndërmerren për forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Denaj ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara.

Gjithashtu ministrja ka urdhëruar ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Sipas saj, komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me qëllim krijimin e një profili të ri inspektues.

“Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit te inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara. Ky urdhër ka një bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë. Falenderoj mbështetjen e UBT, i cili do të ketë tre anëtarë në këtë komision. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar inspektorët e AKU. Aplikantët e rinj do të jenë fokusi i këtij institucioni që do të sjellë një qasje dhe etikë të re”, tha Denaj.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama në një takim me fermerët u shpreh se Autoriteti i Kontrollit Ushqimor duhet të pezullohet menjëherë dhe të ngrihet një komision për filtrimin e burimeve njerëzore të saj, pasi sipas tij po bën dëm.

“Strukturat e pafaturuara që mund të jenë të rrezikshme dhe mund të sjellin pasoja katastrofike për shëndetin e njerëzve, dhe tatimet duhet të fillojnë dhe t’u thonë bizneseve të vogla që jemi në kushte keqkuptimi, ju kemi lejuar pa taksa por ju kemi kërkuar të jeni aleatë për të garantuar që informaliteti nuk shkon deri në prekjen e shëndetit të njerëzve. Duhet të fillojë sekuestrimi i mallrave ushqimore dhe të freskëta që janë pa faturë. AKU duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë sepse më shumë sesa mirë bën dëm, duhet ngrit komision i posaçëm për të marrë në analizë burimet njerëzore të AKU”, pati deklaruar Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds