Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e sheshit të emëruar nga sot pas ish-kryeministrit grek Konstantinos Mitsotakis në qytetin e Dropullit.
Rama u shpreh se hera herës politika me nevojat e saj elektorale trazon rrjedhën e vëllazërisë mes Shqipërisë dhe Greqisë, por shtoi se “këto janë gjëra që kalojnë”.
Ai theksoi se “do ishte mirë” që mos të kishte keqkuptime mes dy vendeve, por shtoi se janë gjëra që ndodhin dhe që bëjnë më të fortë lidhjen e pandashme mes dy popujve.
Rama nënvizoi më tej se ajo që na ndan nuk e largon kurrë atë që i bashkon popujt shqiptarë dhe grekë, ndërsa i cilësoi këto të fundit si “dy pika uji”.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Greqia kanë pasur mosmarrëveshje pas arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, për blerje votash, me palët që kanë mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me rastin.
“Hera herës politika me nevojat e saj elektorale, jo domethënëse për fatet e vendeve tona trazon rrjedhën e vëllazërisë tonë, por janë gjëra që kalojnë.
Mirë do ishte të mos ndodhin, por kalojnë edhe sherre e keqkuptime mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme. Keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por e bëjnë më të fortë lidhjen e pandashme mes dy popujve tanë. Nuk e di nëse Konstantinos Mitsotakis po na sheh nga lart, më pëlqen të mendoj që edhe dielli që u shfaq është buzëqeshja e tij.
Po e mbyll duke uruar që Shqipëria dhe Greqia të kenë më shumë njerëz të ngjashëm me njeriun në këtë bust. Ajo që na ndan nuk e largon kurrë atë që na bashkon. Jemi dy popuj që ngjajmë si dy pika uji”, u shpreh ai.
