Krimi mjedisor në lumin Gjanica në Fier nuk ka të ndalur. Shirat e rrëmbyeshëm të orëve të fundit u përzien me qindra metra kub mbetje hidrokarburesh dhe u derdhën në lumë duke sjellë sërish një ndotje në nivele alarmante, por edhe duke lëshuar një aromë të rëndë si të vezëve të prishuara.
Për qytetarët fierakë kjo situatë është e papranueshme, pasi jo vetëm ndot mjedisin, por njëkohësisht zhvlerëson edhe investimin miliona euro të “Rilindjes Urbane” për rehabilitimin e lumit që kalon përmes qytetit.
Edhe pse fenomeni është denoncuar në vazhdimësi nga qytetarët fierake, autoritetet kanë dështuar për të identifikuar dhe ndëshkuar fajtorët. Ndërkohë Agjensia Kombëtare e Mbrojtjes së Mjedisit në Fier ka ngritur grupe pune për të evidentuar pikat e ndotjes.
