Zjarri i shkaktuar nga përcjellësit e energjisë elektrike ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte dhe shkurre përgjatë rrugës automobilistike në fshatin Balaj. Era e fortë ka thyer degët e pemëve të cilat kanë rënë mbi tela dhe pasojat janë të rënda. Fatmirësisht banorët kanë rendur dhe me ujin e pompave që vadisin tokat e kanë shuar zjarrin që po shkonte drejt banesave. Janë mbi 50 familje në fshatin Balaj që kanë investuar vetë për linjën elektrike dhe shtyllat e hekurta prej pothuaj dy dekada. Deri sot nuk ka asnjë investim nga OSSHE për të rregulluar situatën dhe banorët shprehen se vit pas viti linja elektrike shkakton zjarre.
Banorët kërkojnë vëmendje nga pushteti vendor dhe investime nga OSSHE Lushnjë, pasi u rrezikohen jo vetëm prodhimet bujqësore, por edhe banesat e tyre nga zjarri si dhe jetët në rast të rënies në kontakt me energjinë elektrike nga përcjellësit që mund të bien përtokë.