Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 21 korrik seancën për çështjen “Partizani”. Prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se kreu i PD-së, Sali Berisha nuk është njoftuar zyrtarisht për zhvillimin e saj. Kraja është shprehur se njoftimi për zhvillimin e gjyqit i është dorëzuar dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë në mënyrë të duhur. Malltezi vetë ishte i pranishëm në seancë bashkë me Xhimi Begejan. I pandehuri tjetër për çështjen, Fatmir Bektashi, mungoi për arsye shëndetësore dhe u përfaqësua nga avokati. E pranishme nuk ishte as Andia Pustina, e cila ka zgjedhur të përfaqësohet në proces përmes mbrojtësit të saj ligjor. Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Elsa Ulliri ka kërkuar dorëheqjen nga procesi i gjykimit të dosjes “Partizani”. Në dorëheqjen e paraqitur te drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh, ajo ka argumentuar si arsye se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Kreu i PD-së dhe dhëndri i tij janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds