Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, në ambientet e Kryeministrisë, ku në fokus ishte procesi i integrimit europian dhe ecuria e negociatave për anëtarësim.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duke nënvizuar se objektivi i qeverisë është përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Kreu i qeverisë u ndal te paketa e zgjerimit e këtij viti, duke theksuar se për herë të parë Komisioni Europian ka paraqitur një udhërrëfyes për katër vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e integrimit: Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
Sipas Ramës, Komisioni Europian e konsideron ambicioz, por të arritshëm, objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
