Blegtorët e fshatit Suk 1, në bashkinë Roskovec, po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të çmimit të ultë 76 lekë për litër me të cilin fabrikat blejnë qumështin. Si pasojë, shumë prej tyre po mbyllin stallat dhe po shesin bagëtitë, pasi aktiviteti nuk është më i qëndrueshëm financiarisht.
“Të paktën të na e blinin qumështin mbi 80 lekë për litër”, – thonë ata, duke shtuar se fabrikat e shesin qumështin e përpunuar me 120 lekë për litër.
Shqetësimi shtohet, pasi sipas tyre, çmimi pritet të ulet edhe më tej dhe do t’i çoj drejt falimentimit.
Një prej fermerëve ngre dhe akuza ndaj komisionit të AZHBR-së, duke pretenduar se i janë hequr 10 krerë lopë nga skema e subvencionimit.
Fermerët paralajmërojnë se nëse situata nuk ndryshon, do të detyrohen të braktisin përfundimisht blegtorinë.
Dikur me rreth 20 stalla dhe mbi 700 krerë, sot në Suk 1 kanë mbetur vetëm pesë stalla me rreth 150 krerë lopë, një rënie drastike që paralajmëron krizë të thellë për blegtorinë në këtë zonë.