Policia e Tiranës ka përfunduar operacionin e koduar “Fast Reaction”, për zbardhjen e konfliktit me armë të ndodhur një ditë më parë në zonën e Institutit.
Si rezultat, janë identifikuar 7 persona të përfshirë, nga të cilët një është arrestuar në flagrancë, dy janë proceduar në gjendje të lirë dhe katër janë shpallur në kërkim.
Shtetasi Y. C., 30 vjeç, u arrestua për armëmbajtje pa leje, ndërsa M. M. dhe M. S. u proceduan për plagosje të lehtë me dashje dhe kanosje. Në kërkim janë shpallur vëllezërit S. Rr., 22 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç, si dhe shtetasit R. D., 18 vjeç dhe V. H., 27 vjeç.
Nga hetimet paraprake, rezulton se konflikti nisi për motive të dobëta, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri, si dhe janë përdorur sende të forta.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete.