Zbulohen në fshatin Zgërdhesh të Krujës, 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër), të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Si rezultat i kontrolleve dhe i hetimeve me metoda proaktive u zbuluan në fshatin Zgërdhesh, 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u identifikuan, u kapën dhe arrestuan autorët e dyshuar, shtetasit:
M. S., 23 vjeç dhe E. S., 32 vjeç (vëllëzër) dhe K. B., 51 vjeç, të tre banues në fshatin Halil, Fushë-Krujë.
Vijon puna për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.