Këtë mëngjes policia e Pogradecit ka vënë në pranga 27-vjeçarin Fabian Muçollari, ndërsa në mjet iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Por Fabian Muçollari, nuk është një emër i panjohur për policinë, ai është një i ri me precedent kriminal, i dënuar për vrasje dhe që vetëm në 2024 kishte lënë qelinë.
Në vitin 2016 ai ka vrarë një bashkëmoshatar, Fabio Hilën, pas një sherri që nisi për një vajzë, konflikt i filluar në rrjetet sociale.
Në dëshminë që kishte dhënë para efektivëve pas ngjarjes, ai kishte pohuar në atë kohë se ishin konfliktuar fillimisht në Facebook dhe pasi kishin lënë takim, ai kishte shkuar me armë më vete.
“Ka qenë Fabio ai që më ka shkruar i pari në Facebook, duke më kërkuar llogari sikur unë i paskam thënë vajzës të mos lidhet me Fabion. Unë në fillim i kërkova të më thoshte kush ja kishte thënë një gjë të tillë. Më pas kemi filluar të shkëmbejmë mesazhe më të shara për njëri-tjetrin.
Pas një bisede që ka zgjatur më shumë se një orë në Faceboook më të shara e kanosje kemi lënë të takohemi në krye të rrugës “Naim Frashëri” në afërsi të një lokali. Shkova në shtëpi dhe mora automatikun të cilin e kisha fshehur në një pusetë pa ujë në afërsi të shtëpisë sime. E mora armën dhe e futa poshtë rrobave sportive dhe u nisa të shkoj tek vendi ku e kishim lënë më Fabion dhe po e kërkoja.
Në një moment Fabio më ka thirrur dhe kur ktheva kokën pashë që kishte një karrige prej hekuri më të cilën më ka goditur në shpatullën e djathtë duke më shkaktuar hematomë në krahun e djathtë”, ka dëshmuar ai.