Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit.

Dhëndrit të ish kryeministrit Berisha i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit.

Fillimisht  ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.

Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha në banesën në emër të vajzës së tij, ku sipas vendimit të GJKKO-së edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro.

Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.

Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *