Komisariati i Policisë së Bulqizës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme materialet për nisjen e hetimit ndaj deputetit Xhelal Mziu dhe nipit të tij, Elson Mziu.
Ata akuzohen se ditën e djeshme pas një takimi elektoral në fshatin Ostren kanë dhunuar 33-vjeçarin, Kalosh Murra, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren. Bëhet me dije se Murra mban detyrën e përgjegjesit të ndihmës ekonomike.
Sipas të dhënave Murra ka intimiduar pjesëmarrësit në takim, por ka ofenduar dhe shantazhuar edhe organizatorët e këtij takimi. Pas ankesës së vetë qytetarëve, se po fotografoheshin nga shpërndarësi i ndihmës ekonomike në bashki, ka reaguar edhe deputeti Xhelal Mziu, i cili ka shkuar në vendin ku Murra intimidonte qytetarët dhe i ka kërkuar të largohet dhe të mos bëhet shkas për prishjen e takimit elektoral të opozitës.
Por nga ana tjetër, Murra ka refuzuar që të largohet dhe është kundërpërgjigjur me fyerje ndaj deputetit Xhelal Mziu, çka ka sjellë tensionim të situatës. Xhelal Mziu është kandidat për deputet në listën e mbyllur të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Dibrës.
NJOFTIMI I PLOTË:
Bulqizë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.
