Luhatjet e ndjeshme te temperaturave gjatë ditëve të fundit kanë vënë në vështirësi kultivuesit e luleshtrydhes në zonën e Kafaraj në Fier. Për të dytin vit radhazi fermerët përballen me një pjekje të parakohshme të luleshtrydheve duke sjellë superprodhim, rënie të cilësisë dhe cmim të ulët në treg. Fermerët pohojnë njëzëri se kjo situatë i ka dëmtuar së tepërmi pasi kjo është periudha kur presin të kenê pikun e prodhimit , për të justifikuar mundin e gjithë vitit.
Nga 2600 lekë kilogrami që tregtohej disa ditë më parë , cmimi ka arritur në 800 lekë të vjetra , duke u shkaktuar dëme të mëdha financiare. Kultivuesit e fermës më të madhe të luleshtrydhes në Shqipëri pohojnë gjithashtu se shteti në situata të tilla duhet tu vijë në ndihmë me subvencione, dhe në gjetjen e tregut , politika ndihmëse që nuk iu janë ofruar asnjëherë.
Ndërkohë fermerët pohojnë gjithashtu se në zonë duhet të ketë dhe fabrika të përpunimit të luleshtrydhes, kërkesë e kahershme e tyre , por që deri më sot ka rënë në vesh të shurdhër.