Aksidentet ndodhin edhe kur makinat nuk janë në lëvizje dhe për pasojë shkaktojnë dëme të konsiderueshme. Një defekt teknik i ndodhur në një mjet të parkuar pas magazinave në afërsi të stacionit të trenit në Lushnjë ka shkaktuar zjarr. Si pasojë e djegies së automjetit zjarri u përhap në fasadën e një magazine me materiale ndërtimi. Ndërhyrja e shpejtë e Repartit Zjarrfikës të bashkisë Lushnjë bëri të mundur vënien nën kontroll të zjarrit duke mos e lejuar edhe të precipitojë. Bashkë me zjarrfikësit kanë mbërritur dhe uniformat blu të Komisariatit të Lushnjes për dokumentimin e ngjarjes. Sipas të dhënave nga drejtuesit e repartit të zjarrfikësve, defekti teknik në mjet ka shkaktuar zjarr, i cili nëse nuk do të ishte vënë nën kontroll mund të shkaktonte tragjedi, pasi ndodhet në zonë industriale dhe ka shumë magazina si të materialeve të ndërtimit ashtu edhe mobileri e të tjera.
