Vrasja e 67-vjeçarit Dod Mamli në Kurbin është zbardhur ditën e sotme. Bëhet me dije se autori i vrasjes së të moshuarit Mamli është identifikuar me emrin Dashnor Tota. Ndërkohë që ka rënë motivi i vrasjes për arsye hasmërie, pasi sipas policisë shkaku i vrasjes është për shkaqe pronësie. 67-vjeçari po hapte një tokë në zonën e pyllëzuar ku edhe u gjet i vrarë. 

Njoftimi i Policisë:

Kurbin Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D. T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D. M. Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë zonën dhe po kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Viktima u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin poshtë nga mali dhe menjëherë njoftuan policinë. Familjarët kanë dëshmuar e viktima kishte folur me të vëllanë që ndodhet jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet se krimi të ketë ndodhur vetëm pak minuta më vonë. Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin e viktimës si dhe po bën këqyrjen e mjetit te 67-vjeçarit. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *