Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po i afrohet trevjetorit të saj, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thekson shpresat e vendit të tij për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane edhe gjatë administratës së re Trump.

“Jemi duke pritur inaugurimin e presidentit amerikan. Unë mendoj se e gjithë bota është duke e pritur, sepse Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik në stabilitetin global”, tha zoti Zelenskyy këtë javë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Varshavë me Kryeministrin polak Donald Tusk.

Presidenti ukrainas Zelenskyy e përshkroi SHBA-në si “donatorin më të madh që mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbijetesë përballë agresionit rus” dhe shprehu optimizëm për bashkëpunim të thelluar nën parimin e “paqes përmes forcës”.

Ai tha gjithashtu se qeveria e tij tashmë po koordinon me Uashingtonin në lidhje me takimet e mundshme me Presidentin e zgjedhur Trump, i cili merr detyrën të hënën.

“Ekipet tona janë duke punuar për detajet e këtij diskutimi vendimtar. Ne duam t’i japim fund kësaj lufte, por me kushtet e një paqeje të drejtë”, tha ai.

Fokusi kryesor për Ukrainën në negociatat e ardhshme të paqes do të jetë sigurimi i garancive të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë për të parandaluar një agresion të ardhshëm rus.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake amerikane për Kievin, duke u zotuar vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës që përpara se të merrte presidencën më 20 janar. Megjithatë, ditët e fundit, ndihmësit e tij kanë thënë se afati i ri kohor për përfundimin e luftës janë 100 ditët e para të administratës së tij, që do të ishte në fund të prillit.

I emëruari për postin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, tha gjatë seancës së konfirmimit të tij të mërkurën: “Edhe nëse konflikti përfundon, Ukraina duhet të ketë aftësinë për të mbrojtur veten”. Ai shtoi se kjo është një çështje e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë për Ukrainën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *