Një tjetër institucion që funksiononte në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht Administrata e Tatimit në të Ardhura, është duke u mbyllur. Sipas mediave vendase, inspektorët e krimeve ekonomike, Policia e Kosovës, por edhe pjesëtarë të EULEX-it kanë qenë prezent në vendngjarje. Disa prej punëtorëve janë larguar nga objekti.
“Është një institucion paralel. Ne sekuestruam dokumentacionin dhe thirrëm Njësinë e Krimit Tregtar. Është hapur një rast për falsifikim dokumentesh, ” ka thënë zëvendëskomandanti i Policisë në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani. Ai tha se disa personat janë duke u intervistuar sipas procedurës së rregullt. Gjatë vitit 2024, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe.
Sipas autoriteteve institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke “cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”. Qeveria e Kosovës ka deklaruar vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.