Me dhjetëra viktima e të lënduar ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm që goditi orët e para të ditës së sotme Tibetin, e u ndje në të gjithë zonën. Shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën gërmadha, sipas raporteve në media. Të paktën 1000 shtëpi janë dëmtuar, ndërsa paslëkundjet vazhdojnë…
Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte i magnitudës prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë sizmologjikisht njihet si mjaft aktive, pasi aty përplasen pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.
Vetëm në tre orët e para pas tërmetit, janë llogaritur të paktën 50 paslëkundje. Autoritetet vendosën të mbyllnin zonën turistike të Malit Everest në anën kineze. Rreth 1.500 zjarrfikës dhe punonjësve të shpëtimit të dërguar në zonë, i janë bashkuar edhe të paktën 200 ushtarë që po ndihmojnë në operacionet e kërkimit të të mbijetuarve.
Presidenti kinez, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.
