Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Elton Arkaxhiut i dënuar jashtë vendit për trafikim të lëndëve narkotike. Nga hetimet paraprake rezulton se Elton Arkaxhiu ishte dënuar në Francë në vitin 2011 edhe për pastrim parash.
Mësohet se prokuroria ka kërkuar sekuetrimin e pasurisë së Arkaxhiut bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’.
Ndërkohë bëhet me dije nga organi i akuzës, se nga hetimi u arrit në përfundimin se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara të Arkaxhiut.
Njoftimi i prokurorisë:
Zyra e Interpolit ka konfirmuar se Elton Arkaxhiu nga verifikimet e kryera nga Interpol Francë, rezulton se në atë periudhë ka qenë subjekt i procedurave të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me subjekt kryesisht të trafikut ndërkombëtar të drogës, përdorimit te produkteve narkotike, importimit të mallrave kontrabandë dhe mallrave që paraqesin rrezik për jetën, etj.
Prokuroria nga hetimi arriti në përfundim se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara.
Paraprakisht nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e shtetasit të sipërpërmendur dhe konkretisht:
• Bar- kafe “Rio”, që ndodhet në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet” në rrugën “Myslym Shyri”. Ky biznes është me një sipërfaqe totale 108 m², e blerë në datë 21.10.2005; dhe
• Një ambient biznesi në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet”, në rrugën “Myslym Shyri”. Ky ambient aktualisht përdoret si Qendër SPA.
Për këto arsye, në bazë të neneve 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar,
Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;
2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe
3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami.