Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani i shtohet listës së gjatë të zyrtarëve dhe njerëzve të politikës që janë në telashe me drejtësinë shqiptare dhe duhet të japin llogari përpara saj. Ligjvënësi demokrat është marrë i pandehur për akuzën e fshehjes së pasurisë, hetim që u zhvillua ndaj tij nga prokuroria pas kallëzimit të biznesmenit të një pallati, ku banon edhe vetë Dogjani.

Sipas SPAK, deputeti ka bërë deklarim të rremë për një apartament të blerë prej tij në 2006.

Prokuroria thotë se ne mars të 2010 para fillimit të detyrës, ai kishte deklaruar se kishte përfituar një apartament banimi në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial” sipas një kontrate të firmosur në dhjetor të 2006. Kjo në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

“Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit, bazuar në kontratën e lidhur me 6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Të dyja kontratat të firmosur përkatësisht ne shtator dhe dhjetor të 2006, kishin të njëjtin numër koleksioni dhe numër repertori, por ndryshonte vetëm mënyra e përfitimit të apartamentit.

“Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thekson SPAK.

Dosja penale ndaj deputetit është dorëzuar tashmë për gjykim dhe do të shqyrtohet në seancë paraprake nga gjyqtarja Rudina Palloj.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *