Prej vitesh banorët e fshatit Gjinoqare në njësinë administrative Ruzhdie të Bashkisë Patos vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre si dhe të rrugëve të pashtruara të fshatit. Ata pohojnë të indinjuar se kishin hapur puse me tumbina për shkak të mungesës së ujit, por fshati ndodhet në lartësi në faqe kodre dhe një pjesë kanë hapur puse me sonda që kanë kushtuar mbi 6 milionë lekë të vjetra.
Ata pohojnë gjithashtu se fshati ka vetëm një çesmë dhe kjo e ndërtuar në 2012 nga ish kryekomunari Pajtim Gllava, por që tashmë me hapjen e puseve me sondë ka pakësuar prurjet. Për të plotësuar nevojat e përditshme ata përshkojnë çdo ditë deri 2 km rrugë, me karroca dore për të mbushur ujë me bidona si në mesjetë.
Banorët thonë se edhe pse janë ankuar shpeshherë në njësinë administrative dhe kandidatët për kryebashkiakë e deputetë u kanë premtuar zgjdhje të këtij problemi shumëvjeçar gjatë fushatave elektorale, situata vijon të mbetet e pandryshuar. Ata përsëri mbetën me karroca dore e bidona për të marrë ujë për familjet në rrugët e pashtruara të cilat janë një tjetër shpenzim për ata që disponojnë automjete.