Policia e Fierit ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje daljet e qytetit për ndalimin e 23 vjeçarit Azgan Mërnica që vrau ditën e djeshme policin e forcave “Shqiponja” dhe që ende vazhdon të jetë në arrati. Që prej ditës së djeshme, në kërkim të 23 vjeçarit janë angazhuar forca të shumta policie FNSH dhe ato të RENEA por pa rezultat.
Burime konfidenciale nga policia bëjnë me dije se janë shoqëruar të afërm dhe shokë të autorit. Policia vijon kërkimet në fshatrat pranë fshatit Baltëz aty ku ndodhi edhe ngjarja.
Polici Novruz Cenalia përcillet nesër për në banesën e fundit. Efektivi Novruz Canaliaj kishte vetëm 2 vite që ishte bërë pjesë e forcave Shqiponja, ndërsa 1 muaj më parë edhe ishte martuar. Por një plumb në kokë i mori jetën dje në vendngjarje, ndërsa dyshohet se mes tij dhe autorit ka pasur konflikte.
Autori i dyshuar i krimit dyshohet ka qenë në makinë bashkë me nënën e tij në momentin kur ka qëlluar për vdekje efektivin e policisë. Pas krimit, grupi hetimor ka marrë në pyetje nënë e autorit, por nuk ka dhënë asnjë detaj rreth skenës.
Policia e Shtetit në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.