23-vjeçari filipinas, Mark Samson i cili vrau shqiptaren Ilaria Sula u ka dërguar një letër prindërve të 22-vjeçares, Flamur dhe Gëzime Sula. Samson përmes letrës thotë se çdo ditë mendon për krimin mizor që ka bërë dhe mbi të gjitha nuk di se çfarë i ka ndodhur. Ai shton se nuk është duke u përpjekur të zvogëlojë përgjegjësitë e tij ose të shpëtojë nga pasojat e veprimeve, por është gati të paguaje për mëkatet pa asnjë justifikim. Prindërit e 22-vjeçares kanë reaguar pas letrës duke i thënë se do ta pranojnë faljen e tij nëse ai u kthen vajzën e tyre. Gjithashtu avokati i familjes shqiptare, Giuseppe Sforza deklaroi se pas letrës prindërt e Ilarias janë shprehur se nuk do të pranojnë asnjë justifikim. Detaje të reja janë zbuluar nga hetuesit të cilët bëjnë me dije se kanë gjetur gjurmë ADN-je të një burri në valixhen ku u fut trupi i shqiptares dhe që më pas u hodh në një zonë pyjore jashtë Romës. Vëmendja e magjistratëve të prokurorisë së Romës tashmë është përqendruar te babai i Mark Antony Samson, ish-të dashurit të viktimës. Ai nuk është momentalisht nën hetim pasi sipas dëshmisë së nënës së autorit, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në shtëpi kur Mark vrau Ilarian dhe më pas ajo e ndihmoi të fshihte gjurmët e gjakut. Por tashmë pritet që babai i vrasësit të merret sërish në pyetje dhe t’i kryhen analizat nëse ADN-ja e tij përputhet me atë që u gjet në valixhe.