Parku Olimpik në Tiranë është qendra e grumbullimit të zarfeve me votat e emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kjo qendër u vizitua ditën e sotme nga përfaqësues nga Misioni i OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Ambasadori Lamberto Zannier, dhe kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, të cilët monitoruan punën me administrimin e votës së diasporës. 

Duke folur për mediat, Ambasadori Lamberto Zannier u shpreh se procesi për votën e emigrantëve po shkon shumë mirë dhe se gjithçka e përgatitur si duhet. I pyetur për deklaratën e drejtuesit socialist për qarkun e Dibrës, Blendi Klosi, i cili tha se vota e parë e mbërritur nga diaspora, nga Dibra, ishte për PS, Zannier tha: “Nuk e kuptoj se si mund ta dijë z. Klosi se për kë ka shkuar ajo votë.”

“Vota e parë erdhi në Dibër. Patronazhisti jonë tha se vota e parë i takon të majtës. Vota e parë në 1 milion vota që do të marrë  PS, erdhi nga Dibra. Ne ishim ndër qarqet e para për regjistrime nga diaspora.”, u shpreh Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në takimin me gratë dhe vajzat socialiste në Dibër. 

Pasditen e djeshme fletët e para të votimit nga diaspora mbërritën në Tiranë. 737 zarfet e votuesve të parë nga jashtë Shqipërisë janë vendosur në Parkun Olimpik. Zarfet e kthyera në KQZ i përkasin zgjedhësve nga qarqet Dibër, Berat, Durrës dhe Elbasan. Procesi i dorëzimit të zarfeve nga operatori i shërbimit postar DHL në ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës, u krye në prezencën e përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore dhe medias. Administrata e KQZ do të nisë selektimin e tyre, nëse ka dëmtime në zarf dhe më pas do të ndahen sipas qarqeve përkatëse. Përmes një pajisje elektronike do të identifikohet zarfi nga cili shtet vjen dhe cilit qark i takon fleta e votimit, e cila do të hapet më 11 maj kur të nisë procesi i numërimit paralelisht me votën brenda Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds