Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën “arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreca e konsideron vendimin një zhvillim shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike dhe demokracinë. Sipas tij, Gjykata e Lartë ka mbështetur një vendimmarrje që më herët është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e vendimeve të këtij institucioni.

Avokati thotë se mbrojtja do ta analizojë arsyetimin e plotë të vendimit, ndërsa ngre pyetjen se çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen në praktikë.

Ndreca e lidh çështjen edhe me mandatin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës. Ai pretendon se prej 19 muajsh qytetarët e kryeqytetit janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur me votë, ndërsa thekson se Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe ndodhet ende në paraburgim, megjithëse hetimet kanë përfunduar prej një viti dhe çështja është në gjykim.

Në reagimin e tij, avokati paralajmëron se mbrojtja nuk do të tërhiqet nga beteja ligjore dhe do të ndjekë të gjitha rrugët që i lejojnë Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.

REAGIMI I NDRECES
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.

Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.

Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.

E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “laëfare”-it.

Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.

Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds