Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së Papa Françeskut ditën e sotme. Me anë të një postimi në Facebook, Rama thekson se Papa ka qenë një mik i madh dhe i paharrueshëm i Shqipërisë. Rama i njoftuar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut gjatë takimit me gratë dhe vajzat në Kavajë. Rama u shpreh se Ati i Shenjtë zgjodhi të vizitojë Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit, pasi u bë Papë. Ai e cilësoi si një Papë ndryshe nga të tjerët, ndërsa kërkoi nga të pranishmët ta nderojnë me një minutë heshtje dhe njoftoi mbylljen e takimit. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Papës ka ardhur edhe reagimi i kreut të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dom Gjergj Meta falenderoi Papa Françeskun për shërbimin e tij në gjithë këto vite dhe ftoi besimtarët të luten për shpirtin e tij. Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në reagimin e tij u shpreh se sot bota humbi liderin e madh botëror të kohës. Ai shprehet më tej se Papa e donte popullin shqiptar, një komb martir të Zotit. Në një mesazh ngushëllimi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu pikëllimin e saj për ndarjen nga jeta të Papës, duke vlerësuar trashëgiminë e tij si një lider shpirtëror që frymëzoi botën me mesazhet e paqes dhe dinjitetit njerëzor. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka postuar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Duke shprehur ngushëllimet, Kurti shkruan në X se trashëgimia e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë së Papa Françeskut, do të jetojnë përgjithmonë. Presidenti i PL-së, Ilir Meta përmes një postimi në “Facebook” shkruan se Papa Françesku do të kujtohet përherë me mirënjohje pёr udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike. Ai shton se do të mbetet përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që ai i dha kombit shqiptar në momentet të vështira. Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu është ndër liderët e parë botërorë që reagoi, ai e quajti Papën një njeri të përulur, “në anën e më të cenuarve dhe më të brishtëve”. Kryeministri holandez, Dick Schoof në reagimin e tij u shpreh se Papa Françesku ishte në çdo mënyrë një njeri i popullit. Edhe presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Papës teksa shkruan se buzëqeshja e tij pushtoi zemrat e miliona njerëzve në mbarë globin. Ndër lidër që reagoi është edhe Presidenti izraelit Isaac Herzog i cili përshëndet dhembshurinë e pa•kufishme të Papa Françeskut. Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter shkruan se Papa Françesku ishte një udhëheqës i madh shpirtëror, një avokat i palodhur për paqen. Ministri i parë skocez John Swinney e përshkroi atë si “një zë për paqen, tolerancën dhe pajtimin”.