Studentët dhe pedagogët janë mbledhur këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë, në protestën kundër qeverisë Rama, ndërkohë që brenda Kuvendit u zhvilluar seanca plenare, e cila u mbyll brenda 1 ore. Ditës së dhjetë të revoltës studentore i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Mjekësisë. Ndërkohë, para godinës së Kuvendit ka një prani e shtuar e forcave të policisë, ku këta të fundit kanë tentuar të ndalojnë pedagogët që të bashkohen me studentët. Situata është shoqëruar me përplasje verbale, ndërsa një prej pedagogëve iu drejtua efektivëve me fjalët: “Çfarë do të bëni, mundje me pedagogët? Do bësh grusht me pedagogun? E fiton mo grushtin me pedagogun”. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, ka deklaruar se pedagogët do të vijojnë të mbështesin studentët dhe të kundërshtojnë dhunën policore ndaj të rinjve. Ai bëri të ditur se pedagogët ishin mbledhur në orën 10:00, sipas njoftimit të mëparshëm, për të shprehur solidaritetin me protestuesit. Kovaçi ka theksuar gjithashtu se pedagogët do të mblidhen sërish ditën e nesërme, në orën 10:00, për të vijuar mbështetjen e tyre ndaj studentëve dhe kërkesave të protestës.
