Të moshuarit që marrin vaksinën kundër sëmundjes virale “herpes zoster”, që njihet në gjuhën popullore si “sëmundja e zjarrit”, kanë një rrezik 20 për qind më të ulët të zhvillimit të demencës në krahasim me ata që janë të pavaksinuar, ka treguar një studim i ri amerikan, transmeton Anadolu.
Studiuesit në Universitetin Stanford të Kalifornisë kanë analizuar të dhënat shëndetësore të rreth 280.000 të rriturve të moshës 71-88 vjeç, të cilët nuk ishin diagnostikuar më parë me demencë.
Botuar në revistën “Nature” të mërkurën, studimi, i cili ka zgjatur shtatë vjet, ka zbuluar se individët që kanë marrë vaksinën “Zostavax” kundër virusit në intervale të rregullta kanë shfaqur rrezik dukshëm më të ulët të zhvillimit të gjendjes.
Është zbuluar se vaksina ka qenë më efektive tek femrat sesa tek meshkujt.
“Nëse ulni rrezikun e demencës me 20 për qind, kjo është mjaft e rëndësishme në një kontekst të shëndetit publik, duke pasur parasysh se ne nuk kemi shumë më tepër në këtë moment që ngadalëson fillimin e demencës”, ka thënë për The New York Times studiuesi në Universitetin e Oksfordit, Paul Harrison.
Herpes zoster është një infeksion viral i shkaktuar nga riaktivizimi i virusit “varicella-zoster”, i njëjti virus që shkakton linë e dhenve. Infeksioni shkakton skuqje të dhimbshme të lëkurës që shfaqet me flluska.