14 vjet pas protestës së “21 Janarit” ku mbetën 4 protestues të vrarë, socialistët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për ato që i quajnë vrasje shtetërore.
Kryeministri që mungoi në homazhet e përvitshme, pasi ndodhet në samitin e Davosit, duke nderur kujtimin e 4 protestuesve të vrarë i drejtoi një mesazh organeve të drejtësisë.
“’Drejtësia vonon po nuk harron’, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama.
Zv.kryeministrja dhe ministrat shoqëruan familjarët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës që bënë homazhe duke vendosur lule në vendet ku u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në Korrik të vitit të shkuar e detyruar nga një vendim i Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Posaçme rihapi hetimet për dosjen e “21 Janarit”.
Procedimi është përqendruar në 3 vepra penale, atë të vrasjes në rrethana cilësuese, shpërdorimi i detyrës dhe veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Prokuroria e Posaçme sipas urdhrit të Gjykatës së Lartë duhet të sqaroje nëse ish-zyrtarë të lartë mbanin apo jo përgjegjësi për menaxhimin e protestës dhe pasojat që ajo solli me 4 të vrarë dhe të tjerë të plagosur.