Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet sot një tjetër seancë gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë”. Në seancën e sotme ka dhënë deklarime një nga të pandehurit e dosjes, Xhuljan Hoxha.

Gjatë fjalës së tij ai ka shkëmbyer edhe disa replika me të penduarin e drejtësisë, Erjon Alibej. Ky i fundit është shporehur se mediat duhet të bëjnë durim sepse pasi të përfundojë dëshminë e tij Nuredin Dumani do të flasë për gjithçka. Sipas tij, i penduari tjetër i drejtësisë, Dumani ka thënë shumë të pavërteta dhe trillime. 

Replikat në gjyq: 

Xhuljan Hoxha: Në një nga takimet që kam zhvilluar me Erjon Alibeaj, ai më ka folur për vrasjen e Kastriot Kilës. Ai më ka tregu se si e ka porositur vrasjen e Kastriot Kilës. Financues dhe organizator i kësaj ngjarje është Erjon Alibej, jo Suel Çela.

Erjon Alibej: Doja të sugjeroja që mediat të bëjnë durim, sepse pasi të mbarojë Nuredin Dumani dëshminë e tij dhe unë do flas për gjithçka. Nga deklarimet e mia, kanë për të dëgjuar mediat për të gjithë Suel Çelat. Unë do i them të gjitha. Janë thënë shumë të pavërtetë dhe trillime, sugjeroj mediat mos të nxitohen derisa të japim dhe ne deklarimet tona.

Xhuljan Hoxha: Unë kam marrë burgim të përjetshëm për fjalët e tua. Kam shumë unë për të thënë për ty.

Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *