Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Procesi Sportiv” nga Ed Manushi, moderatori zbuloi se lojtari i Kombëtares Rey Manaj i cili është me origjinë nga Lushnja, është në tratativa për të blerë klubin e Lushnjës.
“Moda e futbollistëve të rëndësishëm dhe të pasur që blejnë klube sportive ka arritur edhe në Shqipëri. Një futbollist i madh i Kombëtares është në tratativa për të blerë klubin e Lushnjës. Rey Manaj po blen ekipin e Lushnjës, duartrokitje për iniciativën. Ky model na duhet për të ecur përpara”, tha Ed Manushi.
Kujtojmë se në kronikat tona kemi trajtuar shpesh çështjen e privatizimit të klubit të futbollit, aksionet e të cilit i zotëron 100% bashkia e Lushnjës.
Ndërkohë janë bërë tre shpallje për tre ankande të pasuksesshme për privatizimin e klubit sportiv. Për momentin kanë skanduar datat e ankandit dhe pritet të rifilloj procedura duke u riparë kushtet dhe kriteret për shpalljen e ankandit të radhës. Duke u bazuar tek dështimi i ankandit të dytë, këshilltarët e opozitës propozuan rishikimin e kritereve dhe kushteve gjë që do të ndodh në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Aksionereve dhe Presidencës së klubit që drejtohet nga Presidentja e klubit dhe njëherazi Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa.
Procedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Lushnjë nisi me vlerën fillestare 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë, por kjo vlerë ra me 20% në ankandin e tretë i cili u zhvillua me vlerën e re -20%.
Gjithashtu Klubi sportiv, po përballet me një tjetër vështirësi, dorëheqjen e trajneri të ekipit të Lushnjës Erion Xhafaj dhe gjetjen e trajnerit të ri në fillim të kampionatit për kategorinë e parë. Të premten Lushnja ka ndeshjen e radhës me ekipin e Besës së Kavajës, ora 16:00.
